Pep Guardiola nuk është i vetmi që e ka vënë re, por duket se është ai që mund “të vërë bast” më shumë për të.
Trajneri katalanas i Manchester Cityt dhe departamenti i ‘skautingut’ tashmë janë duke punuar mbi merkaton e verës.
Sipas “The Athletic”, ata kanë vënë re një mbrojtës shumë të ri, që luan me kroatët e Hajduk Splitit, i cili është vetëm 16 vjeç.
Bëhet fjalë për Luka Vuskoviq, një qendërmbrojtës 1.93 metra, i cili tashmë ka debutuar në ekipin e parë. Mësohet se për të është interesuar edhe PSG muaj më parë.
Megjithatë, sipas medias së sipërpërmendur, klubi nga “Etihad” ka bërë ofertën e parë serioze, duke i vendosur Hajduk Splitit në tavolinë 12 milionë euro (10, plus 2 milionë bonuse).
Lojtari në fjalë sapo ka rinovuar me klubin mëmë deri në janar 2026.