Shqipëria U-17 ka hyrë në ethet e fundit të Elite Round, me kuqezinjtë e vegjël të cilët rikthehen në këtë fazë, e vlefshme për kualifikueset e EURO 2023.
Skuadra e Ervin Bulkut ka nisur përgatitjet prej datës 15 mars, për tri sfidat e Grupit 8 ku bëjnë pjesë edhe Franca, Zvicra dhe Letonia, me ndeshjet e kësaj faze që do të luhen në vendin tonë gjatë këtij muaji dhe të gjitha ndeshjet e grupit do të transmetohen ekskluzivisht në “SuperSport”.
Kombëtarja U-17 do t’i luajë të gjitha sfidat në kryeqytet, në stadiumin “Air Albania”, ndërsa në dispozicion për këtë grup do të jetë edhe impianti tjetër, “Elbasan Arena”.
Shqipëria do të zbresë në fushën e lojës të mërkurën, përballë kundërshtarit më të fortë,
Francës me sfidën që nis në orën 11:30.
Po nesër, luhet edhe sfida tjetër e grupit ajo midis Letonisë dhe Zvicrës që nis në orën 15:30 në “Elbasan Arena”.
Kuqezinjtë do të zbresin në fushën e lojës për ndeshjen e dytë më 25 mars, këtë herë përballë Zvicrës në orën 17:00, ndërsa në fund skuadra e Bulkut do të masë forcat me Letoninë më 28 mars në orën 17:00.
Shqipëria e kësaj grupmoshe luan për një arritje madhore, pasi është një hap larg raundit final të Europianit U-17, gjë e cila nëse realizohet do të ishte historike për një ekip kombëtar shqiptar të moshave.