Xhaka është në mesin e pesë futbollistëve më të mirë por Shaqiri?

Futboll

Xhaka është në mesin e pesë futbollistëve më të mirë por Shaqiri?

Më: 22 mars 2023 Në ora: 13:32
Shaqiri e Xhaka

Futbollistët shqiptarë kanë luajtur rol të rëndësishëm në Kombëtaren e Zvicrës që prej Milaim Ramës, i cili konsiderohet si shqiptari i parë që i përfaqësoi “Helvetikët”, duke u bërë njëkohësisht edhe shqiptari i parë që merr pjesë në Kampionat Evropian.

Rrugën e tij e ndoqën dhjetëra lojtarë shqiptarë, pjesa dërrmuese e tyre nga Kosova.

E disa prej tyre lanë edhe gjurmë të pashlyeshme, përfshirë këtu Valon Behramin, Xherdan Shaqirin dhe Granit Xhakën.

Trajneri zviceran, Arno Rossini e ka dhënë pikëpamjen e tij sa u përket lojtarëve kosovarë të Zvicrës, më saktësisht të Xhakës dhe Shaqirit.

Mesfushorin e Arsenalit e ngrit lartë në listë, ndërsa atë të Chicagos po ashtu e vlerëson shumë për kontributin e tij me “Helvetikët”.

“Graniti, në pikëpamjen time, është në Top-5 të të gjitha kohëve te Zvicra.

E kishte një karrierë të rëndësishme dhe është një element thelbësor i Kombëtares.

Natyrisht, është shquar edhe për sjelljet dhe veprimet totalisht të gabuara.

Por, nëse e shohim ekskluzivisht lojën, ndeshjet, është e drejt ta pranojmë se një element të tillë nuk e gjejmë apo shohim shpesh.

Është mirë ta shijojmë derisa të arrijë të luajë në nivele të larta”, u shpreh fillimisht ish-trajneri i Bellinzonas dhe Sionit për mediumin zviceran “Tio.ch”.

“Shaqiri, në fanellën e Kombëtares ishte vendimtar, lojtar kyç.

Ka shënuar dhe ka dhuruar asistime.

Nëse e shohim produktivitetin ofanziv të Zvicrës në vitet e fundit, në një mënyrë, Xherdani ka lënë shenjë në shumicën e golave të realizuar.

Edhe ai është një lojtar top absolutisht, do të thosha në mesin e 20 më të mirëve në historinë e futbollit tonë”, shtoi tutje Rossini.

Ai foli edhe për vendimin që ndeshja mes Bjellorusisë dhe Zvicrës, e vlefshme për kualifikimet e Euro 2024 të luhet në Serbi.

Sipas trajnerit zviceran, ky duel i ndejshëm nuk është dashur të vendosej për t’u luajtur në Novi Sad të Serbisë, por në një shtet tjetër.

“Nuk është një zgjedhje e pëlqyeshme për Kombëtaren tonë, duke e pasur parasysh prezencën e disa lojtarëve me origjinë nga Kosova.

Një vend tjetër do të ishte i pranueshëm, por tash është një gjë që është vendosur”, përfundoi Rossini.

Për shkak të lëndimit, Shaqiri dhe Andi Zeqiri nuk do të mundë ta ndihmojnë Zvicrën në ndeshjet e marsit, ndërsa Xhaka pritet të jetë prezent në Serbi kundër bjellorusëve më 25 mars dhe në Zvicër kundër Izraelit pas tri ditësh..

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat