Anglia fitoi 1-2 në Napoli përballë Italisë në takimin e parë të eliminatoreve të Euro 2024. Harry Kane realizoi golin e dytë për “Tre Luanët” dhe të 54-n personal me kombëtaren angleze.
Kapiteni parakalon në këtë mënyrë Wayne Rooney, duke u shndërruar në golashënuesin më të mirë në histori me Anglinë. 29-vjeçari ka vendosur edhe rekorde të tjera.
Askush nuk ka shënuar në Kombëtare më shumë se ai si kapiten (46 gola), nga pika e bardhë (18), gola gjatë një viti (16 në 2021) dhe gola në turnetë madhorë (12).
“Fitore e veçantë, pasi nuk ia festonim në Itali prej gati 60 vitesh. Ishte bërë kohë e gjatë që nuk triumfonim këtu ndaj tyre. Kjo ka rëndësi të madhe për mua dhe shokët e skuadrës.
Rekordi i golave? Jam i nderuar, kjo është një arritje e mrekullueshme. Faleminderit shokëve, stafit, gruas dhe familjes sime. Të gjithë atyre që më kanë ndihmuar të mbërrij deri këtu.
Ishte një moment magjik, një mbrëmje madhështore”, deklaroi bomberi anglez, i cili pritet të përmirësojë edhe më shumë rekordin e golave në Kombëtare.