Lionel Messi ka arritur shifrën magjike të 800 golave në karrierën e tij si profesionist.
Kampioni në fuqi i Botës, Argjentina ka marrë një fitore 2-0 ndaj Panamasë para adhuruesve të vet dhe Mesi nuk do ta harrojë kurrë këtë ndeshje.
Ishte minuta e 89-të e ndeshjes, kur gjeniu argjentinas realizoi një gol të jashtëzakonshëm nga gjuajtja e lirë për ta vulosur fitoren e Kombëtares argjentinase.
Me golin ndaj Panamasë, Mesi ka arritur në kuotën e 800 golave në karrierën e tij si profesionist, ku ka realizuar me Barcelonën, Paris Sen Zhermenin dhe kombëtaren e Argjentinës. 35-vjeçari shifrën e 800 golave e ka arritur në 1017 ndeshje zyrtare me Barcelonën, PSZH dhe Argjentinën.
Shtatë herë fituesi i “Topit të Artë” ka shënuar 672 gola në ndeshje zyrtar me Barcelonën, 29 gola me Paris Sen Zhermenin dhe 99 gola me kombëtaren e Argjentinës.
Ylli argjentinas tani mbetet 30 gola mbrapa Kristiano Ronaldos i cili ka shënuar 830 gola deri më tani në karrierën e tij, por që është tre vite më i vjetër se Messi.