Ndër përballjet e mbrëmjes së sotme në kuadër të eliminatoreve të Kampionatit evropian të futbollit, Euro 2024, që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Gjermani ishte edhe sfida Austri - Azerbajxhan.
Kështu, në “TGË Arena”, të Linzit në Austri, vendasit shkatërruan me rezultatin e thellë 4:1, Azerbajxhanin e ish-teknikut të Kombëtares sonë, Gianni de Biasi.
Fitorja e vendasve u pa që në pjesën e parë, me Sabitzer dhe Gregoritsch, që ndëshkuan mysafirët në minutat 28’ dhe 29’.
Golat e tjerë u shënuan të gjithë në pjesën e dytë, me austrikaët që shënuan 2 herë në minutat e 50’-të dhe 69’-të falë Baumgartner dhe sërish Sabitzer, ndërsa golin e nderit për azerët e shënoi Emin Mahmudov.
Në krahun tjetër, në “Estadio Algarve”, Greqia mundi pastër me rezultatin 0 me 3, Gjibraltarin në sfidën e grupit B.
Fitorja u vulos që në pjesën e parë, me Georgios Masouras dhe Manolis Siopis, të cilët shënuan respektivisht në minutat 11’ dhe 45’ të sfidës.
Ndërkaq, për të “hipotekuar” rezultatin 0:3 mendoi Anastasios Bakasestas në minutën e 58’-të të sfidës.