Kombëtarja e Kosovës e nisi me barazim ciklin kualifikues për Kampionatin Evropian “Euro 2024”, që do të mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani.
Të përzgjedhurit e Alain Giresse morën sonte një pikë nga përballja me Izraelin, që vlerësohet si një prej rivalëve për dy pozitat e para në grup.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Bloomfield” përfundoi me rezultatin 1:1. Kjo ishte ndeshje e parë në kuadër të Grupit I.
“Dardanët” këtë rezultat e kanë cilësuar të mirëseardhur, duke përmendur faktin se ndeshja e ardhshme mes këtyre dy kombëtareve do të zhvillohet në “Fadil Vokrri”.
“Ia dolëm. Ia arritëm asaj që donim.
Të mos mposhtemi në Izrael, përballë favoritit në letër për pozitën e dytë.
Tashmë ne fitojmë atë epitet. Në “Fadil Vokrri” me një super-atmosferë, Izraeli edhe mund të mposhtet.
Gjithsesi, paraprakisht duhet kryer punën me kombëtaret e tjera të grupit. Jemi në rrugën e duhur. Kjo është e rëndësishmja.
FORCA KOSOVË”, thuhet në postimin e “Dardanëve”.