Vedat Muriqi në krizë golash

Futboll

Vedat Muriqi në krizë golash

Më: 30 mars 2023 Në ora: 11:10
Vedat Muriqi në veprim

Viti 2023 nuk ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme për Vedat Muriqin.

Sulmuesi ka hasur në vështirësi ta bëjë atë që di më së miri ta bëjë – shënimin e golave.

28 vjeçari ka shënuar kundër Ponteverda në Kupën e Spanjës dhe ndaj Villarrelalit dhe ndaj Espanyolit..

Ai e kishte edhe një seri të zezë prej pesë ndeshjesh radhazi pa shënuar gol, edhe pse në njërën prej tyre mungoi shkaku i suspendimit.

Në total, në 23 ndeshje të zhvilluara, Muriqi i ka shënuar 10 gola deri tash në kampionatin spanjoll.

Ish-futbollisti i Fenerbahçes dhe i Lazios nuk arriti të shënonte as në dy ndeshjet që i zhvilloi me Kombëtaren e Kosovës, kundër Izraelit dhe ndaj Andorrës.

Pa dyshim, ky fakt po i shqetëson të gjithë, pasi, si tifozët e Mallorcas, ashtu edhe ata të Kosovës, shpresat më të mëdha i kanë tek golat e Muriqit.

Muriqi është rikthyer në stërvitje tek Mallorca dhe tifozët e këtij klubi presin që prizrenasi të shpërthejë qysh këtë të premte, në ndeshje me Osasunën, ku fitorja është e panegocueshme, pasi në të kundërtën ekipit të përfaqësuesit do t’i vështirësoheshin punët sa i përket mbijetesës.

Tek Mallorca besojnë shumë tek Muriqi, i cili është sulmuesi kryesor dhe shpresa më e madhe për ta shpëtuar këtë ekip pa rënë nga liga, njëjtë siç bëri edhe vitin e kaluar.

Mallorca ka varësi absolute tek Vedati dhe për këtë, në këtë klub janë shqetësuar që po i mungojnë golat atij.

Askush nuk po e konteston angazhimin dhe përkushtimin e tij, të cilat i ka vërtetuar tashmë, por në futbollin profesionist ajo që ka rëndësi është efikasiteti dhe për momentin, golat e tij janë më të nevojshëm se kurrë më parë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat