Mbi 500 mijë euro do të investohen në infrastrukturën e stadiumit “Liman Gegaj” në Malishevë, ka njoftuar kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati.
"Sot kishim për vizitë në Komunën e Malishevës, ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrullah Çeku, me të cilin edhe kemi nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi me vlerë rreth 500 mijë euro, që për qëllim ka ndërtimin e infrastrukturës në stadiumin e qytetit në Malishevë.
Përmirësimi i kushteve të infrastrukturës sportive, përkrahje e të rinjve, duke mos lënë anash për asnjë moment as trashëgiminë kulturore, është një nga synimet dhe angazhimet tona të vazhdueshme, dhe në funksion të jetësimit të projekteve të kësaj natyre, në do të jemi çdo herë të gatshëm për të bashkëpunuar me institucionet qendrore dhe partnerë e donatorë të ndryshëm", ka shkruar Kastrati në profilin e tij në Facebook.
"E falënderova ministrin Çeku për nënshkrimin e këtij Memorandumi dhe shpreha gatishmërinë tonë që ky bashkëpunim të thellohet edhe më shumë përmes projekteve konkrete".
Nga Malisheva në Superligën e Kosovës garon klubi me emër të qytetit.