Osimhen është kthyer në një nga sulmuesit më të fortë në botë në këtë sezon te Napoli dhe skuadra e Spaletit është e jashtëzakonshme me të në majën e sulmit.
Por duket se pa të, Napoli bën edhe më mirë, ndaj tifozët e Milanit kanë se pse të shqetësohen dhe jo të gëzohen se nigeriani do të humbasë sfidën e kampionatit e ndoshta edhe të parën e Ligës së Kampioneve ndaj kuqezinjve.
Një mungesë e detyruar për një periudhë kohe e sulmuesit ka ndodhur edhe më parë në këtë edicion, pasi u dëmtua me 7 shtator.
Ai humbi sfidat ndaj Specias, Milanit, Torinos e Kremonezes në Serinë A, si dhe dy duele me Rejnxhërs dhe sfidën me Ajaks në Ligën e Kampioneve.
Por në këtë periudhë skuadra e Spaletit ka qenë e jashtëzakonshme.
Ajo jo vetëm i fitoi të shtatë këto duele, por edhe mesatarja e golave është më e lartë se e periudhës kur Osimhen ishte në fushë.
Me të në fushë, mesatarja e golave të Napolit për ndeshje është 2,4, ndërsa pa sulmuesin në këto 7 ndeshje ishte 3,1 gola.