Wout Weghorst mbërriti tek Manchester United në merkaton e janarit si një përforcim në emergjencë i “Djajve të Kuq” për linjën e parë të sulmit.
Por, holandezi ka zhgënjyer pritshmëritë e tifozerisë së United pasi në tetë ndeshje, ende nuk e ka gjetur rrugën e rrjetës në Premier League dhe për momentin i gëzohet vetëm një asisti.
Kështu, nuk kanë munguar kritikat e shumta në lidhje me 30-vjeçarin, madje edhe nga një legjendë si Ruud Gullit që e cilësoi Weghorst si një lojtar jo në lartësinë e duhur për Manchester United.
Gjithsesi, në krah të sulmuesit ka dalë trajneri Erik ten Hag i cili thekson se me Weghorst në fushë, skuadra e tij luan më mirë.
“Unë jam shumë i lumtur me punën që bën Weghorst. Me të në fushë skuadra luan më mirë.
Nuk më duket e përshtatshme që në sulm në vend të Weghorst të luajë McTominay.
Është e vërtetë që McTominay mund të mbuloj shumë role në fushë dhe e ka kapacitetin për të shënuar gola.
E ka treguar në këtë sezon, por në sytë e mi, McTominay është një mesfushor”, u shpreh Ten Hag duke i dhënë fund dilemave ndërsa do t’i besojë Weghorst të paktën deri në fundin e sezonit aktual.
Të dielën United e pret një duel direkt me Newcastle për zonën Champions teksa diferenca mes dy skuadrave për momentin është vetëm tre pikë, të cilat janë në favor të “Djajve të Kuq”.