Tottenham do të vijojë luftën për vendin e katërt në Premier League pa trajnerin Antonio Conten.
Tekniku italian dhe drejtuesit e Spursave mbyllën me marrëveshje bashkëpunimin teksa skuadra tashmë ka kaluar nën drejtimin e Cristian Stellinit, zëvendësit të Contes.
Para ndeshjes së parë në krye të Tottenham (luan në transfertë ndaj Everton), Stellini theksoi se ai do të vendosë në praktikë disa nga taktikat e Contes, por shtoi se nuk do të jetë nevoja që të marrë këshilla nga italiani.
“Dua të sqaroj se vendimi për të ndarë rrugët me Conten erdhi për të mirën e skuadrës dhe ishte me dakordësinë e të gjithë palëve.
Raporti im me Conten mbetet i paprekur dhe asgjë nuk ndryshon, dua ta falenderoj sepse duke punuar me të kam mësuar shumë.
Jam përmirësuar dhe motivuar nga Conte.
Ai është një person shumë i rëndësishëm për mua, kam bërë më të mirën për të si ndihmës dhe tani dua të bëj më të mirën vetë deri në fundin e sezonit.
Jam këtu sepse i njoh lojtarët, në të kaluarën kemi qëndruar të bashkuar dhe duhet ta bëjmë sërish. Nuk do t’i kërkoj këshilla Contes ashtu siç bëja kur isha në rolin e ndihmësit.
Por, do ta përdor atë që kam mësuar nga Conte në të gjithë këto vite që kemi punuar së bashku. Dhe, për këtë duhet ta falenderoj”, u shpreh Stellini.