Gregor Kobel u bë protagonist në “Der Klassiker” në futbollin gjerman ku Bayern Mynh mundi me shifrat 4:2 Borusia Dortmundin dhe nisi arratinë drejt titullit kampion.
Portieri i miqve shpresonte të bëhej protagonist me pritjet e tij, por ishte ai që u hapi rrugën bavarezëve me një autogol të pabesueshëm që në minutat e parë të sfidës.
Në minutën e 13, Upameakno nisi një top të gjatë drejt zonës dhe Kobel doli që ta largonte por në mënyrë të pabesueshme nuk kishe kontaktin e duhur me sferën që i iku nga këmbët dhe më pas u rrokullis dalëngadalë në rrjetë.
Ky u cilësua si autogol pasi kishte një prekje të lehtë të portierit, i cili sapo ishte kthyer nga dëmtimi dhe shpresonte që të përsëriste paraqitjet e mira të ndeshjeve të mëparshme.
“Nuk e kam idenë se si rrëshqiti topi, një m*** i bukur!
U ktheva dy herë nga lëndimet dhe bëra gabime të mëdha dy herë.
Një ndeshje e keqe mund të ndodhë gjithmonë.
Ka edhe ditë m*** dhe sot ishte një prej tyre.
Vendimi për të dalë para ishte i mirë.
Por kështu të dhemb. Pas kësaj ngjarje pësuam ngërç në lojën tonë”, tha portieri pas sfidës.