Lazio kaloi pengesën Monza duke u konfirmuar si forcë e dytë në Serie A.
Bardhekaltrit fituan 0-2 në transfertë, regjistruan një tjetër takim pa pësuar dhe afrohen gjithnjë e më shumë me kualifikimin në Champions League. Elseid Hysaj luajti gjatë gjithë ndeshjes për kryeqytetasit.
“Ka filluar të më pëlqejë shumë kjo Lazio.
Kisha kërkuar maturi edhe të mos përsëriteshin gabimet e së shkuarës. Dhe shenjat e pjekurisë po vijnë.
Zhvilluam një ndeshje serioze ndaj një ekipi të vështirë”, deklaroi Maurizio Sarri.
Më pas një koment për mbrojtjen e tretë më të fortë në Europë. “Kemi afruar mbrojtës të një niveli të shkëlqyer. Dhe që i përshtaten stilit tonë të futbollit.
Përveç kësaj, pjesa tjetër e skuadrës kontribuon në fazën mbrojtësë.
Jemi shumë solidë. Mentaliteti mbrojtës është rritur te të gjithë ne”, deklaroi trajneri i Lazios.
Në fund një batutë për zemërimin e Luis Albertos-s, i cili nuk e priti mirë zëvendësimin (71’).
”Ai mërzitet edhe nëse e zëvendësoj në minutën e fundit…
Jam i kënaqur me mënyrën se si po e interpreton rolin e tij. E ndërrova sepse doja një lojtar me karakteristika ndryshe në ato momente”.