Edon Zhegrova ishte protagonist i Lillet mbrëmë.
Ylli nga Kosova u inkuadrua në lojë në minutat e fundit të ndeshjes me Lorientin derisa rezultati ishte i barabartë, 1:1.
Mirëpo, përfaqësuesit shqiptar i mjaftuan këta pak minuta për të lënë gjurmë.
Futbollisti anësor i shënoi dy gola brenda dy minutash për t’ia siguruar fitoren ekipit vendës, ndërsa pas lojës festoi bashkë me tifozët, të cilët ia dhanë edhe mikrofonin.
E një dygolësh aq i shpejtë tek Lille nuk ishte parë qe një kohë të gjatë.
Uebfaqja zyrtare e klubit francez zbulon se Edon Zhegrova është lojtar i parë i Lillet që i shënon dy gola pas hyrës në lojë në Ligue 1 që nga Vicor Osimhen, i cili kishte shënuar dy herë kundër Saint-Etiennet më 28 gusht të vitit 2019.
Ndër të tjera, lojtari ofanziv anësor i shënoi dy gola mbrëmë për 2 minuta e 12 sekonda.
Kjo ishte periudha më e shpejtë që një lojtar i Lillet i shënon dy gola që nga 28 janari 2012, kur Nolan Royx kishte shënuar dy herë ndaj Saint-Etiennet për 1 minutë e 22 sekonda.
Zhegrova vinte nga një gol i shënuar ndaj Andorrës me Kombëtaren e Kosovës.
“Messi kosovar” po kalon nëpër një formë të shkëlqyeshme, të cilën e kanë lavdëruar edhe mediat franceze dhe analistët e futbollit në këtë vend.