Galatasaray e Norwichi janë larg marrëveshjes për Rashicën i ndajnë 6 milionë euro

Futboll

Galatasaray e Norwichi janë larg marrëveshjes për Rashicën i ndajnë 6 milionë euro

Më: 4 prill 2023 Në ora: 10:28
Milot Rashica

Galatasaray ka mbetur i impresionuar me kualitetet e Milot Rashicës, të cilin e mori hua nga Norwichi gjatë verës së kaluar.

Futbollisti nga Kosova ka kontribuuar me gola dhe me asistime për ekipin nga Stambolli, i cili prin aktualisht në Superligën turke.

Ylli shqiptar ka kontratë me Norwich Cityn deri më 30 qershor të vitit 2025, por u largua prej aty kur ky klub ra në Championshipin (niveli i dytë) anglez.

Kjo bëri që ai të përfundonte në Turqi dhe aty shpërtheu menjëherë.

Galatasaray i ka bërë gati 5 milionë euro për ta bërë të vetin futbollistin ofanziv, njofton mediumi turk, “Sabah”.

Megjithatë, i njëjti medium raporton se kjo ofertë është larg pritshmërive të Norwichit, i cili i kërkon 11 milionë euro për kartonin e vushtrriasit.

Kjo nënkupton që palët për momentin janë 6 milionë euro larg njëra-tjetrës.

Klubi anglez e kishte blerë 26 vjeçarin nga Werder Bremeni në fillim të sezonit 2021/22 pikërisht për 11 milionë euro.

Rashica mund të rikthehet në Angli vetëm nëse Norwichi rikthehet në Premierligë.

Krejt kjo nëse palët nuk arrijnë marrëveshje pasi dëshirë e tij dhe prioritet i sulmuesit anësor është qëndrimi në Turqi, ku është ambientuar mjaft mirë.

Galatasaray do t’ia bëjë Norwichit ofertën prej 5 milionë eurosh, të cilat do të paguhen me rata për tri vje.

Por, klubi turk është i gatshëm ta përmirësojë këtë ofertë, duke i përfshirë edhe bonuset, pasi lojtari dëshiron të qëndrojë në Stamboll.

Mbetet të shihet se sa do të lëshojë pe Norwichi, i cili, nëse rikthehet në Premierligë, natyrisht se do të llogariste edhe në shërbimet e Rashicës. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat