Te Shqipëria pa nga stoli ndeshjen ndaj Polonisë, por te Citadella në Serinë B vijon të konfirmohet titullar dhe në formë të shkëlqyer.
Bëhet fjalë për portierin kuqezi Elhan Kastrati, i cili ishte një nga pikat më të forta të skuadrës së tij, në barazimin pa gola në transfertën ndaj Modenës.
“Ishte shumë e rëndësishme që të mos dilnim pa pikë dhe ia dolëm.
Mbijetesa do të jetë një betejë e vërtetë, por ne jemi gati të luftojmë.
Në mbrojtje jemi mirë dhe pësojmë pak, por na duhen golat e sulmuesve, që të marrim pikët që na duhen”, u shpreh Kastrati.
Gardiani 26-vjeçar është pjesë e Cittadellës që prej vitit 2020 dhe është shndërruar në titullar të padiskutueshëm, teksa paraqitjet e tij kanë tërhequr vëmendjen e disa klubeve në Serinë A e Francë.