Real Madridi i shënon 4 gola Barcelonës për herë të parë pas 15 vitesh

Futboll

Real Madridi i shënon 4 gola Barcelonës për herë të parë pas 15 vitesh

Më: 6 prill 2023 Në ora: 11:32
Real Madridi

Mbrëmjen e djeshme, Real Madrid bëri një përmbysje spektakolare në “El Clasico” ndaj Barcelonës duke mundësuar kështu finalen e Kupës së Mbretit në të cilën do të ndeshet ndaj Osasunës.

Ndeshja e parë në Bernabeu përfundoi me rezultatin 0-1, ndërsa dje në Camp Nou, Real Madrid bëri mrekullinë duke fituar 0:4.

Ndeshja ishte me tension të lartë që në minutat e para dhe kartonat e verdhë nuk munguan. Këtë hark kohor të parë Reali e mbylli në avantazh me rezultatin 1-0 falë golit të Vinicius Jr të asistuar nga Benzema.

Në pjesën e dytë ishte sulmuesi francez që hodhi poshtë të gjitha qortimet e marra gjatë këtyre javëve, duke shënuar një tripletë magjike në Camp Nou. Ajo që duhet theksuar është rezultati me 4 gola të shënuar nga “Los Blancos”.

Real Madrid nuk kishte shënuar të paktën katër gola në “El Clasico” ndaj Barcelonës që prej majit të vitit 2008 në ndeshjen e La Ligas e cila përfundoi me rezultatin 4-1, dhe për herë të parë në Camp Nou në janar të vitit 1963 në fitoren 5-1.

Por cila është fitorja më e madhe ndonjëherë në “El Clasico”.

Në qershor të vitit 1943, u zhvillua një nga “El Clasico-t” më të çmendura ndonjëherë kur Real Madrid mposhti Barcelonën me rezultatin 11-1 në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Copa del Generalismo.

Barcelona kishte fituar ndeshjen e parë në shtëpi me rezultatin 3-1 dhe u fut në lojë e sigurt.

Por, në momentin që ra bilbili i përfundimit të pjesës së parë, rezultati ishte 8-0.

Në pjesën e dytë Reali shënoi edhe tre gola të tjerë duke hapur kështu zyrtarisht rivalitetin më të madh historik në Spanjë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat