Sulmuesi 22-vjeçar shqiptar, Kleis Bozhanaj, është kthyer në një nga protagonistët kryesore të javëve të fundit në Grupin B të Serisë C në Itali.
Futbollisti shqiptar po shënon me rregullsi të admirueshëm dhe këto gola të tij kanë ndihmuar skuadrën e Karrarezes që të sigurojë një vend në play-off për ngjitjen në Serinë B.
Bozhanaj, ka shënuar në të tre ndeshjet e fundit me klubin e tij, duke e ndihmuar që të sigurojë 1 fitore dhe 2 barazime, të cilat mjaftuan për sigurinë matematikore që skuadra të sigurojë play-off në mbyllje të edicionit.
Goli i tretë radhazi, i katërti për këtë sezon, erdhi në ndeshjen e sotme ndaj Torres në transfertë.
Rrotullim në mesfushë, shmangie e kundërshtarit dhe pastaj një predhë nga distanca e sulmuesit i cili mposhti portierin kundërshtar dhe gjeti në minutën e 38 golin e barazimit 1-1, me të cilin do të mbyllej e gjithë ndeshja.
Kështu, Bozhanaj rivalizon me emra si Merkaj, Shpendi e Kabashi të cilët janë gjithashtu pretendentë për ngjitjen në Serinë B dhe me golat e tyre po ndihmojnë ekipet përkatëse drejt këtij objektivi në të njëjtin grup.