Frank Lampard ishte i përzgjedhuri i presidentit të Chelsea, Todd Boehly për pjesën e mbetur të sezonit pas shkarkimit të trajnerit Graham Potter.
Një zgjedhje emergjente nga “Blutë e Londrës” teksa në klub vendosën t’i besonin një personi që e njeh mirë ambientin londinez aty ku ka shërbyer si lojtar, por edhe si trajner.
Lampard shërbeu te Chelsea në rolin e trajnerit në vitet 2019-2021, teksa në epokën e tij mbahen mend edhe gjobat që aplikoi për lojtarët që shkelnin disa nga rregullat bazë të përpiluara nga 44-vjeçari.
Disa nga gjobat që u aplikuan ishin ato në lidhje me vonesën në stërvitje, vonesat në palestër, vonesat në mbledhjet e skuadrës apo edhe telefonatat në kohën kur konsumohej ushqimi.
Mbetet për t’u parë nëse Lampard do të vijojë sërish me eksperimentin e vjetër për të mbajtur nën kontroll futbollistët apo në këtë rast do të shfaqet më i butë duke qenë se për momentin konsiderohet si një trajner i përkohshëm me detyrën për të dërguar deri në fund sezonin aktual.
Lista e famshme me rregullat dhe gjobat për secilën shkelje;
1-Vonesat për ndeshje, koha e nisjes së skuadrës për ndeshje 2.500 paund
2-Vonesat për mbledhjen para stërvitjes 2.500 paund, si dhe 2.500 shtesë për çdo 15 minutësh që kalon
3-Vonesat për në palestër 1.000 paund
4-Vonesat për mjekim 2.500 paund
5-Vonesat në mbledhjet e skuadrës 500 paund për minutë
6-Vonesat në fillimin e stërvitjes 20.000 paund
7-Telefonata gjatë konsumimit të ushqimit apo në mbledhjet e skuadrës 1.000 paund
8-Mungesa në autobuzin e skuadrës pas ndeshjeve pa njoftuar minimalisht 48 orë më parë trajnerin apo asistentin e tij 5000 paund
9-Mungesa e raportit në rast dëmtimi apo sëmundje para ditës së pushimit apo 1 orë e gjysmë para stërvitjes 10.000 paund.