Mbrojtësi anësor i Arsenalit, Oleksandr Zinchenko, ka treguar pse ishte kaq i bindur që të transferohet te topçinjtë gjatë afatit të kaluar në verorë, duke thënë se Mikel Arteta është i vetmi trajner për të cilin do të largohej nga Manchester City në atë kohë.
Zinchenko e ndërroi Manchester Cityn me Arsenalin në verën e kaluar dhe është bërë lojtar i rregullt me opçinjtë nën drejtimin e Artetës. Reprezentuesi ukrainas ka qenë plot lëvdata për trajnerin e tij, me të cilin ka punuar më parë në Etihad, dhe ka shpjeguar pse donte të luante për të në veri të Londrës.
"Ndikimi që ai kishte dhe ka tani për mua është i madh. Unë kam thënë shumë herë, një ditë nëse do të largohem nga City dhe do të qëndroj në Premierligë, do të jetë vetëm një trajner, që është Arteta”, tha ai për Sky Sports.
"Mënyra sesi ai e sheh futbollin, vizioni i tij, karakteri i tij, ai është një fitues. Kjo është ajo që më pëlqen më shumë nga njerëzit. Është e qartë se ai më njihte si lojtar dhe person kur më thirri. Kam pasur disa biseda para se të vija te Arsenali. Ai më tha se çfarë dëshiron të shohë nga unë, më tregoi vizionin, planin dhe strategjinë e klubit. Më pëlqeu gjithçka dhe kjo është arsyeja pse erdha".
Arteta e ka udhëhequr Arsenalin në krye të tabelës së Premierligës këtë sezon, me tetë pikë më shumë se ish-skuadra e tij Manchester City, megjithëse skuadra e Pep Guardiolës ka një ndeshje më pak.
Topçinjtë do ta kenë një test të fortë në ndeshjet në vazhdim gjatë muajit prill me takimet kundër Liverpool, City dhe Chelsea.