Sedloski prezantohet te Vllaznia

Futboll

Sedloski prezantohet te Vllaznia

Më: 8 prill 2023 Në ora: 16:07
Sedloski në të majtë

Goce Sedloski, trajneri i ri i Vllanzisë, ka zhvilluar sot konferencën e tij të parë për shtyp.

Një konferencë ku ka shpalosur planet e tij për ndeshjen ndaj Erzenit, por edhe për vijimin e këtij sezoni, duke treguar se nuk ka garanci për vijimësinë e tij në verë.

“Faleminderit shumë që keni ardhur këtu sot.

Është hera e parë që jam këtu. Kam luajtur vetëm një herë në Shqipëri, nuk e mbaj mend në cilin qytet.

Jam shumë i kënaqur që m’u dha mundësia të jem trajner i Vllaznisë. Më është thënë shumë herë që Vllaznia është një ekip shumë i mirë.

Ka patur një krizë kohët e fundit, kështu që duhet të ngrihemi shumë shpejt. Normalisht që nuk do të mund ta ndryshoj situatën brenda 2-3 ditëve, por do të përpiqem të bëj më të mirën për aq kohë sa na ka mbetur. Duhet të mbështesim njëri-tjetrin. Duhet të punojmë fort këto dy muaj që kanë mbetur dhe do të arrijmë aty ku klubi dëshiron.

Ekipi ka krizë në rezultate dhe është një detyrim i joni të dalim sa më shpejt nga kjo situatë. Kemi një ndeshje mjaft të vështirë. Duhet t’i marrim të gjitha një nga një.

Me çfarë kam parë në stërvitje, ekipi ka lojtarë mjaft të mirë, por ata duhet të jenë të aftë të bëjnë atë çfarë unë kërkoj. Jemi një grup, por duhet të marrim rezultate. Natyrisht që më duhet kohë që t’i njoh lojtarët plotësisht.

Lojtarët duhet të djersitin për atë fanellë. Me aq sa kam parë, kampionati është shumë i fortë, por ne kemi kualitet të lartë në ekip. Tifozët duhet ta ndjejnë që ne po përpiqemi.

U bëj thirrje të jenë nesër në stadium, pasi ato janë lojtari i 12-të i joni dhe janë një pikë e fortë mbështetjeje për ekipin.

Nga lojtarët kam kërkuar që për aq minuta sa janë në fushë, të japin maksimumin dhe të lodhën për këtë fanellë, për këtë klub.

Nëse ato japin atë çfarë unë kërkoj, rezultati do të jetë pozitiv. Kanë mbetur 9 ndeshje, por nuk e njoh mirë kampionatin, kështu që do t’i marr ndeshjet me radhë.

Nuk është koha të flasim për titullin kampion, por t’i marrim të gjitha me kujdes.

Ky kampionat është shumë interesant. Me 2-3 ndeshje mund të arrish vendin e parë, por edhe të biesh në të fundit.

Ka akoma ndeshje për të luajtur, do të shohim deri në fund. Me sa kam parë, Partizani dhe Tirana janë skuadra mjaft të forta, por unë fokusohem te ekipi im dhe loja që ne do të bëjmë. Duhet respektuar çdo ekip, por i pari vjen ekipi im.

Shpresoj që ndeshja e nesërme të jetë një tjetër festë, përpos asaj të Pashkëve. Nëse sezoni mbyllet mirë, do të rinovoj përsëri, por na mbetet të shohim rezultatet. Kam dëgjuar se Vllaznia ka një tifozeri të zjarrtë dhe në stadium ka një numër të lartë tifozësh.

Futbolli luhet për tifozë, kështu që ju bëj thirrje përsëri të vijnë të na mbështesin”, tha ndër të tjera Sedloski në konferencë për shtyp.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat