Lazio vazhdon të konfirmojë formën fantastike në Serie A. Bardhekaltrit e Sarrit mposhtën 2-1 Juventusin në “Olimpico”, rezultat që minimizon shpresat e bardhezinjve për kualifikimin në Champions.
Adrien Rabiot realizoi golin e barazimit të përkohshëm të Juves. Mesfushori francez është golashënuesi më i mirë i “Zonjës së Vjetër” në Serie A me 8 gola, po aq sa Vlahovic.
Pas ndeshjes, Rabiot u shfaq tepër i pezmatuar, ndërkohë që nuk i kurseu kritikat për veten e tij dhe shokët e skuadrës.
“E filluam ndeshjen keq, ishim shumë të butë dhe nuk fituam asnjë duel në pjesën e parë. Zhvilluam një pjesë të parë të turpshme.
Në të dytën u përmirësuam, por nuk mjaftoi të merrnim pikë”, deklaroi 28-vjeçari, ndër të paktët lojtarë të skuadrës së Max Allegrit që po zhvillon një sezon pozitiv.