Vedat Muriqi përfshihet në listë për ekipin e vitit

Futboll

Vedat Muriqi përfshihet në listë për ekipin e vitit

Më: 11 prill 2023 Në ora: 11:09
Vedat Muriqi

Vedat Muriqi po e bën namin në këtë sezon në futbollin evropian.

Sulmuesi ynë i ka realizuar 12 gola dhe i ka dhuruar dy asistime me Mallorcan duke e bërë veten njërin prej golashënuesve më të mirë të ligës.

28 vjeçari kishte vazhdimësi dhe e ka marrë në dorë Mallorcan edhe në këtë edicion, njëjtë si në atë të kaluar, kur e shpëtoi pa rënë nga liga.

Kjo ka bërë që përfaqësuesi ynë të përfshihet në listën e kandidatëve për të qenë pjesë e ekipit ideal të vitit, të zgjedhur nga FIFA 2023, e që quhet “FIFA 23 Team of the Season” (TOTS).

Më saktësisht, në këtë ekip janë përfshirë lojtarët më të qëndrueshëm të këtij sezoni, pra që kanë pasur vazhdimësi.

EA Sports FIFA i ka ftuar tifozët që t’i votojnë lojtarët në secilën pozitë, për ta nxjerrë më pas 11-shen ideale me formacioni 4-3-3.

Në repartin e sulmit gjenden 28 futbollistë, ndërsa tre prej tyre do të jenë pjesë e ekipit ideal.

Në mesin e kandidatëve ka lojtarë të njohur si Gabriel Jesus, Alvaro Morata, Rodrygo, Alexis Sanchez etj., ndërsa natyrisht nuk janë përfshirë yjet e futbollit evropian.

Në bazë të komentuesve në rrjetin social Instagram, Muriqi është lojtari që e meriton më së shumti që të jetë pjesë e ekipit komunitar të sezonit të FIFA23.

Ndërkohë, mediumi i madh spanjoll “Marca” e përfshiu Muriqin në ekipin ideal të xhiros së 28-të të La Ligas falë dygolëshit të shënuar në fundjavë ndaj Real Valladolidit, kur ia siguroi një pikë Mallorcas.

Muriqi e sheh veten veç dy gola prapa Karim Benzemas dhe pesë gola prapa liderit të golashënuesve të La Ligas, Robert Lewandowski.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat