Thomas Tuchel ka kritikuar mbrojtësin Dayot Upamecano për gabimet e tij të kushtueshme kundër Manchester City-t.
Mbrojtësi i Bayern Munich ishte fajtor për golin e dytë të City-t, pasi atij iu mor topi nga Jack Grealish.
Më pas ai la Erling Haaland të pambuluar në rastin e golit të tretë dhe të fundit të anglezëve në ndeshjen çerekfinale të Champions League në stadiumin Etihad.
Dhe trajneri i tij, Tuchel, nuk u përpoq ta justifikonte yllin e tij dhe nuk i kurseu kritikat.
Tuchel tha: “Upamecano bëri shumë gabime. Ishin disa situata ku i mungonte pak përqendrimi dhe merrte vendime të rrezikshme. Kjo nuk duhet të ndodhë kurrë në këtë nivel, në atë pjesë të fushës. Ai do të mësojë prej këtyre gabimeve”.
Trajneri i ri i bavarezëve këmbënguli se nuk ishte i zemëruar ndaj gabimeve të bëra nga francezi, pavarësisht se pakujdesitë e tij e kanë lënë Bayern-in në prag të eliminimit.
Tuchel shtoi: “Nuk jam i zemëruar me të. Ai është ende i ri dhe do të bëjë gabime.
Por në një ndeshje të këtij niveli, duhet të luash pa gabime për të arritur një rezultat”.
Ish-trajneri i Chelsea-t gjithashtu sugjeroi se ai ishte i kënaqur me performancën e ekipit të tij, pavarësisht humbjes.
Bayern do t’i duhet të kapërcejë një deficit prej tre golash kur të përballet me Citizens në Allianz Arena të mërkurën e ardhshme.