Romelu Lukaku do të preferonte më shumë të luajë nga fillimi në çdo ndeshje për të qenë protagonist.
Por, numrat dhe statistikat po flasin ndryshe.
Interit për momentin i duhen fitoret dhe për këtë po përkujdeset sulmuesi belg.
Futbollisti në pronësi të Chelseat hyri në lojë si rezervist ndaj Benficas dhe prapë ishte protagonist duke shënuar nga pika e bardhë.
Lukaku i ka shënuar 19 gola në 19 tentime nga penalltia.
Dhe, gjiganti i sulmit po tregohet mjaft i efektshëm si rezervist, pasi të tre golat në Ligën e Kampionëve në këtë edicion i ka realizuar pasi ka hyrë në lojë nga banka rezervë në pjesën e dytë.
Madje, ish-futbollisti i Manchester Unitedit e ka një statistikë impresionuese: Lukaku e ka një mesatare të golit për çdo 28,7 minuta.
Interi e mposhti mbrëmë Benfican në udhëtim, 2:0 në ndeshjen e parë çerekfinale të Championsit dhe e sheh veten më afër gjysmëfinales, duke e pasur parasysh se lojën e kthimit do ta zhvillojë në shtëpi.