Ka nga ata që lartësojnë Yann Sommer (34 vjeç) si përgjegjës për mos turpërimin më tej ndaj Manchester City (0-3), ka të tjerë që fajësojnë CEO, Oliver Kahn dhe drejtorin sportiv të klubit bavarez, Hasan Salihamixhiq (“Brazzo”). Legjenda e futbollit gjerman, Mario Basler, duke folur për “Sport1” nuk u kursye fare në kritika.
Kampioni i Evropës i vitit 1996 është irrituar nga lidershipi i kampionëve rekormenë gjermanë, duke i përshkruar Kahn dhe “Brazzo” si “dy përgjumës”.
Dhe kërkon që në Bayerni, “ndoshta dikush nga bordi mbikëqyrës t’i thotë Kahn: Oli, hajde, bëj sërish trajnerin e portierëve. “Brazzo”, shko të luash sërish golf”.
Për Baslerin është e qartë se klubi duhet të vërë në dyshim edhe veten. Sidomos në nivelin e menaxhimit. Ish-futbollisti profesionist kërkon nga presidenti Herbert Hainer që të flasë në publik dhe të thotë një fjalë “pushteti”.
Shkarkimi i ish-trajnerit Julian Nagelsmann në fund të marsit po kritikohet shumë.
Gjermani u lirua nga funksioni në atë kohë sepse “tripleta” ishte në rrezik. “Nagelsmann ndoshta tani është gjithashtu përgjegjës për humbjen 3-0 ndaj Manchester City”, – tha me tallje Basler. Pra, indirekt nuk kursehet as zëvendësuesi i tij Thomas Tuchel, “sepse nuk mund t’i rregullonte të gjitha gabimet brenda dy javësh!!!”
Në fakt, intensiteti me të cilin Bayerni u përball me “qytetarët” lë shumë për të dëshiruar. Prandaj ka stuhi në “Säbener Strasse”. Kritikat vijnë nga të gjitha anët, por vetëm ish-lojtarët dhe ekspertët kërkojnë dhe gjejnë fajtorët në vende të ndryshme, edhe në funksione të ndryshme.