Belgu vendimtar në Europë

Futboll

Belgu vendimtar në Europë

Më: 13 prill 2023 Në ora: 20:54
Romelu Lukaku

Romelu Lukaku ka qenë edhe një herë tjetër një ndër protagonistët e Interit në një mbrëmje europiane. Pasi belgu siguroi kualifikimin në çerekfinale me golin e vetëm të sfidës së dyfishtë ndaj Portos, këtë herë ndëshkoi një tjetër skuadër portugeze, duke vulosur fitoren e italianëve në “Da Luz” ndaj Benfikës.

Goli i 16-të europian me këtë fanellë i ka sjellë buzëqeshjen jo vetëm Romelut, por gjithë Interit që pret që prej gushtit të shikojë vendimtar gjigandin e sulmit. Mes dëmtimeve dhe dyshimeve, formës jo të mirë fizike dhe paraqitjeve nën nivelin që i kishte mësuar tifozët, “Big Rom” e ka provuar jo pak herë stolin gjatë këtij sezoni, ashtu si ka bërë mbrëmjen e së martës, kur Inzagi i besoi Xhekos në vend të tij.

Pankina ama ka rezultuar gjithmonë e ëmbël në Champions League për 29- vjeçarin, që të tre golat e tij (i pari ndaj Viktoria Plzenit në grupe) në këtë kompeticion i ka shënuar pasi ka hyrë si zëvendësues. Lukaku në këtë drejtim është shndërruar jo vetëm në armën e trajnerit, por edhe në njeriun “Champions” të Interit.

Sulmuesi ndërron lëkurë në këtë kompeticion dhe nuk fal asgjë, duke i lënë pas gabimet elementare para portës në kampionat. Por në kampionat ama, ashtu si në Europë, numri 90 nuk gabon asnjëherë nga pika e bardhë, ashtu si nuk ka bërë asnjëherë në tri vitet e tij si zikaltër. 19 penallti ka ekzekutuar belgu me Interin, duke i dërguar të gjitha në rrjetë dhe duke treguar se gjakftohtësia është pika më e fortë e tij.

E ARDHMJA – Por ndërsa Lukaku po përpiqet të lërë shenjën e tij për Interin në këtë fund sezoni, sulmuesi e di mirë se kjo shenjë do t’i shërbejë mbi të gjitha për të ardhmen e tij, që është ende e paqartë.

Përfundimi i huazimit në qershor do ta rikthejë në Londër lojtarin, me tratativat për të rinovuar edhe për një vit huazimin që pritet të nisin.

Ky operacion, siç tregon “tuttosport” do të varet të paktën nga dy pika kryesore: kualifikimi në Champions sezonin e ardhshëm dhe trajneri që do të stërvisë zikaltrit. Elita europiane do të sillte vazhdimësinë e projektit dhe të ardhura, kurse largimi i mundshëm i Inzagit mund të sjellë një tjetër trajner që duhet të miratojë qëndrimin e Lukakut në Milano.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat