FFK: Selatin Vokrri do të mbahet gjallë në kujtesën e njerëzve si një personalitet i ndritur 

Futboll

FFK: Selatin Vokrri do të mbahet gjallë në kujtesën e njerëzve si një personalitet i ndritur 

Më: 14 prill 2023 Në ora: 14:33
Selatin Vokrri

Ish futbollisti i mirënjohur, Selatin Vokrri, sot në mëngjes ka ndërruar jetë.

Federata e Futbollit e Kosovës, i shpreh ngushëllime familjes së Vokrrit dhe komunitetit të futbollit, për ikjen në amshim të Vokrrit. 

“Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, ish-futbollistit, trajnerit dhe pedagogut të dalluar Selatin Vokrri.

Ai ishte një personalitet i jashtëzakonshëm në futbollin e Kosovës, që dha kontribut të pashoqë si futbollist e si trajner dhe që shërbeu si burim i pasur i njohurive dhe ideve në fushën e futbollit dhe edukimit sportiv të të rinjve.
 

Kontributi i tij në futbollin e Kosovës do të mbetet i paharrueshëm, veçanërisht në kohën e okupimit serb, ku ai ishte një udhëheqës i fortë e i guximshëm, duke frymëzuar rininë llapjane të vazhdojë të luajë futboll në kushte të vështira dhe po thuajse të pamundura.

Ai do të mbahet gjallë në kujtesën e njerëzve si një personalitet i ndritur, me vlera të larta atdhetare e sportive, por edhe si i afërt dhe i dashur për të gjithë.

Federata e Futbollit të Kosovës shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve, kolegëve dhe të gjithë atyre që ishin afër tij gjatë gjithë jetës së tij sportive.

Selatin Vokrri do të mbetet shembull frymëzues për brezat e rinj, derisa kontributi i tij do të mbetet gjithmonë në kujtesën tonë.

I lehtë  i qoftë dheu i Kosovës!”, shpreh ngushëllime Federata e Futbollit të Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat