Erzeni pret ndihmën e tifozëve

Futboll

Erzeni pret ndihmën e tifozëve

Më: 15 prill 2023 Në ora: 11:24
Erzeni

Erzeni ka mbyllur përgatitjet në prag të ndeshjes ndaj Kastriotit, që do të zhvillohet sot në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, ora 18:00.

Skuadra e Xhevahir Kapllanit do të ketë mbështetjen e tifozëve të mrekullueshëm shijakas, që pritet të jenë prezentë në numër të madh në stadiumin e Durrësit. Stërvitja e djeshme është zhvilluar me ritme të larta dhe Kapllani pritet t’u marrë maksimumin lojtarëve që ka në dispozicion, teksa fryma në ekip është mjaft pozitive.

Të gjithë faktorët e futbollit në Shijak kanë besim te fitorja për të dalë nga situata e dy humbjeve radhazi të marra në javët e fundit. Drejtuesit e klubit Erzeni kanë vendosur që tribuna ballore të ketë hyrje falas për tifozët. Nga ana tjetër, klubi ka njoftuar gjithashtu se autobusët do të jenë falas, teksa nisen nga qyteti i Shijakut në drejtim të Durrësit në orën 17:00.

Shijakasit do të vuajnë ndaj Kastriotit mungesën e mesfushorit brazilian, Alan Rodriges, si dhe të mbrojtësit Ardit Iljazi, të cilët për shkak kartonësh nuk do të jenë në këtë takim. Edhe Nehar Sadiki, Xhelil Asani dhe Amer Duka, që vuajnë ende dëmtimet, nuk ia kanë dalë të riaftësohen për ndeshjen e sotme.

Ndërkohë, kujtojmë këtu që në tri ndeshjet e para të këtij kampionati, dy ekipet e qarkut të Durrësit kanë ndarë barazime me rezultate të ndryshme, përkatësisht 0-0, 1-1, 2-2.

Tre golat e shënuar kundër krutanëve për Erzenin mbajnë emrat e Nonatos, Asanit dhe Kapllanit. Nga ana e shijakasve shpresohet të ndryshohet ky trend rezultatesh ndaj një kundërshtari direkt si Kastrioti, teksa tri pikë sot do të vlenin shumë në arritjen e objektivit kryesor: qëndrimi në Superiore.

Duke i qëndruar besnikë skemës së zakonshme që ka përdorur këtë kampionat, Kapllani mendohet që do ta nisë me treshen Enk, Krasniqi dhe Peposhi në mbrojtje, ndërsa Osmanllari që kompleton prapavijën do të luajë në krahun e djathë, duke pasur edhe detyra ofensive.

Shpesh ai dhe Peposhi, me daljet e tyre, ndihmojnë ekipin në sulm, duke bërë një rol shumë të rëndësishëm.

Në repartin e avancuar janë konfirmuar Kapllani dhe Nonato, ndërsa afër tyre do të jetë edhe Ilirid Ademi, i cili ka treguar një formë të mirë në ndeshjet e fundit. Në mesfushë si digë përpara mbrojtjes do të jetë dyshja Kriviçiç-Mehmeti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat