Stambolli rrezikon finalen

Futboll

Stambolli rrezikon finalen

Më: 18 prill 2023 Në ora: 12:50
Trofeu i Champions League

Kjo mesjavë do të përcaktojë edhe 4 ekipet gjysmëfinaliste të Ligës së Kampionëve, por megjithatë ende nuk është e sigurt se ku do të luhet finalja e këtij turneu.

UEFA ka përcaktuar si qytetin pritës, Stambollin me ndeshjen të planifikuar të luhet në “Ataturk Stadium”,. Por duket se gjërat do të ndryshojnë.

“Independent” raporton se në ditët e fundit është hedhur hipoteza për të ndryshuar stadiumin që do të mirëpresë finalen e këtij sezoni.

Shkak për këtë janë bërë zgjedhjet elektorale që do të mbahen në mesin e muajit maj në Turqi dhe UEFA duket se nuk është e bindur për sigurinë që do të ofrohet.

Në këtë mënyrë, për t’i paraprirë situatës, mund të ndryshohet finalja e Ligës së Kampionëve.

Në fakt, kjo nuk do të ishte hera e parë që do të ndryshohej, duke qenë se në 3 sezonet e fundit, finalja ka ndryshuar stadium 2 herë. Për ironi të fatit, në sezonin 2019-2020 ishte pikërisht Stambolli vendi pritës por Covid 19 bëri që të transferohej në Lisbonë.

Sezonin e shkuar, finalja ishte menduar të luhej në Moskë por lufta mes Ukrainës dhe Rusisë, bëri që UEFA ta zhvendoste në Paris.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat