“Nuk kemi mbaruar ende” - Hakan Calhanoglu e ka festuar kështu kualifikimin e Interit për në gjysmëfinalet e Champions League, ku do të përballet me Milanin, ish-skuadrën e tij.
Protagonist i mesazheve dhe provokimeve, të bëra e të vuajtura në kurriz, turku është gati të hakmerret ndaj ish-shokëve dhe tifozëve që e shënjestruan fort një vit më parë, pas titullit të kuqezinjve.
Në Instagram, ku ka postuar foton dhe mesazhin, tifozët e Interit nuk kanë munguar t’i kujtojnë ngacmimet. Kujtojmë se zikaltrit kaluan me sukses Benfica në çerekfinale, për të mbërritur në euro-derbin italian të Ligës së Kampionëve.
Ata barazuan 3-3 në “San Siro”, ndeshjen e kthimit, pasi kishin fituar 2-0 në Lisbonë.
Nga ana e tyre, kuqezinjtë shijuan një tjetër euro-derbi të Serie A në Champions.
Më konkretisht, të besuarit e Piolit eliminuan Napolin në çerekfinale, falë fitores 1-0 në “San Siro” dhe barazimit 1-1 në stadiumin “Maradona”.
Tashmë, e sigurt është se do ta kemi njërin finalist nga Milano në këtë edicion të kompeticionit elitar të klubeve të kontinentit.
Milani apo Interi?
Fusha e blertë do ta zbulojë, pas aktit të dyfishtë gjysmëfinal.