Skuadrat italiane kanë qenë të shumta në garë në fazat finale të turneve ndërkombëtarë dhe kjo komplikon disi situatën sa i përket kualifikimit për turneun elitar, Ligën e Kampioneve.
Për të marrë pjesë në këtë aktivitet, për një skuadër italiane ka tre mënyra: të fitojë Ligën e Kampioneve, të fitojë Ligën e Europës apo të renditet mes katër skuadrave të para në kampionat.
Por këtë vit vendi i katërt mund të mos mjaftojë.
Në rast se dy skuadrat që fitojnë Ligën e Kampioneve dhe Ligën e Europës në këtë edicion janë italiane, atëherë automatikisht skuadra e vendit të katërt do të duhet të kënaqet më fazën në grupe të Ligës së Europës.
Arsyeja gjendet në rregulloret e UEFA-s të cilat kanë bërë të qartë se nuk do të lejohet që një vend të ketë më shumë se 5 skuadra në Ligën e Kampioneve në një edicion.
Në rastin e fituesve nga Seria A, prioritet kësisoj marrin skuadrat triumfuese të Ligës së Kampioneve dhe Ligës së Europës, ndërsa më pas do të shtoheshin 3 ekipe nga renditja e kampionatit italian, me të katërtën që do të zbriste në Ligën e Europës për edicionin 2023-2024.