Giroud: E pabesueshme, kurrë s’e kisha menduar të arrija kaq shumë me Milanin

Futboll

Giroud: E pabesueshme, kurrë s’e kisha menduar të arrija kaq shumë me Milanin

Më: 21 prill 2023 Në ora: 12:06
Giroud

Do të jetë një derbi më shumë, përmbushja e një ëndrre të madhe europiane.

Pra, Olivier Giroud, i freskët nga rinovimi i tij me Milanin, ku nuk e kishte menduar kurrë se do të përjetonte kaq shumë emocione, pasi i tha lamtumirë Chelsea, kthen sytë nga gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve.

Sulmuesi flet mbi këtë për “L’Equipe”, në një intervistë të gjatë.

Dhe e nis me golin ndaj Napolit, që zyrtarizoi kualifikimin në gjysmëfinale të Champions League: “Pas penalltisë së humbur u trondita pak, por qëndrova i fokusuar. E dija se do të kisha shanse të tjera. Meret më priti edhe goditjen e dytë, por të tretën nuk e humba, duke e dërguar në rrjetë topin e pasuar mrekullisht nga Leao.

Kur ka hapësirë, Leao është shkatërrues dhe unë e dija se ku të vendosesha për ta marrë topin. Nuk mund të gaboja. Duhet thënë që luajta edhe pse më dhimbte këmba, por si pjesa tjetër e skuadrës u sakrifikova. Ky është një ekip me shpirt kolektiv dhe kështu mund të ëndërrojmë gjithçka”.

Shkurtimisht, Liga e Kampionëve nuk është një tabu për Giroud: “Të vetmen herë që arrita në gjysmëfinale, atëherë fitova me Chelsea. Madje edhe atëherë ishim ‘outsider’.

Ne nuk ishim favoritë as këtë herë, por eliminuam Napolin. Milani po gjen sërish vendin e tij në skenën europiane falë një ekipi të mirë.

Kemi një intensitet të plotë, që nis nga unë deri te Mike. Portieri Maignan priti penalltinë ndaj Napolit, na sjell qetësi dhe besim, është shumë i rëndësishëm te Milani. Ne jemi një ekip solid që ka të ardhme, por duhet të përmirësohemi rregullisht. Ekipi është i ri, edhe nëse unë e vras ​​pak moshën mesatare”.

Megjithatë, në moshën 36-vjeçare, francezi vazhdon të shënojë dhe të ëndërrojë: “Nuk e prisja ta përjetoja gjithë këtë kur nënshkrova për Milanin.

E dija se do të ishte një sfidë emocionuese, por nuk prisja të fitoja titullin dhe të arrija në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Nuk mund të kisha ëndërruar kurrë kaq shumë”.

Dhe tani është Interi: “Do të jetë një ‘derbisimo’, Milano do të ndizet zjarr.

Një raund i pabesueshëm, në çdo rast me një italian në finale. Qyteti do të përjetojë diçka të pabesueshme, po ashtu edhe ne”. Dhe për Giroud, megjithatë, nuk ka mbaruar, të paktën deri në vitin 2024.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat