Futbollisti kroat Ivan Rakitiç, i cili asistoi në një gol në fitoren 3:0 të Sevillas ndaj Manchester United të enjten mbrëma, tha se ai dhe bashkëlojtarët e tij e shijuan ndeshjen dhe mysafirët nga Anglia mezi prisnin të ktheheshin në shtëpi.
– Unë jam ende duke përjetuar atë që ndodhi, mendoj se kjo u arrit nga publiku ynë i madh.
Ne lojtarët ndihemi krenarë që jemi pjesë e Sevillas, që i kemi treguar gjithë botës se sa shumë do të thotë ky kompeticion për klubin”, tha 35-vjeçari.
Ai tha se në prag të lojës ka marrë një numër jashtëzakonisht të madh mesazhesh mbështetjeje dhe se për disa ditë në qytet është ndjerë euforia, e cila është transferuar në stadium.
“U ndjemë aq rehat sa Manchester United mezi priste të kthehej në shtëpi.
Dua të falënderoj fansat tanë, kjo ishte një natë e mrekullueshme, shpresoj që do të vazhdojmë të ëndërrojmë së bashku dhe që ky moment të zgjasë sa më gjatë”, theksoi ai.