Reali i Madridit dhe Mançester Siti kanë siguruar përkatësisht të martën dhe të mërkurën një vend në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve.
Dy nga skuadrat më të forta në Europë do të përballen mes tyre në maj për të siguruar një vend në finalen e madhe të Stambollit.
Një përsëritje e gjysmëfinales së sezonit të kaluar. Jo më larg se një vit më parë të gjithë ishin dëshmitarë të dy përballjeve epike, ku në fund në finale shkoi Reali për t’u shpallur më pas kampion i Europës.
Parashikimet janë që edhe në këtë sezon të kemi një tjetër përballje titanësh kur Reali dhe Siti të zbresin në fushë më 9 maj në “Bernabeu” e një javë më pas në “Etihad”.
Ka shumë arsye përse nga të gjithë shtëpitë më të mëdha të basteve si dhe nga specialistët e futbollit, Reali dhe Siti të shihen si favoritët kryesorë për fitimin e këtij edicioni në Ligën e Kampioneve.
Kampionët në fuqi të Europës, 14 herë fituesit e trofeut dhe Mançester Siti, sfidanti i përjetshëm në kërkim të lavdisë së parë në Europë kanë vendosur të zbresin në fushë pa sekrete.
Reali dhe Siti kanë vendosur të kërcënojnë njëri-tjetrin me sulmet e tyre atomike. Me Bajernin e Mynihut të eliminuar (119 gola),
Reali i Madridit dhe Mançester Siti janë dy sulmet më të mira në Europë, “los blancos” me 110 rrjeta në këtë sezon në të gjithë kompeticionet dhe Mançester Siti me 103 gola. 6000 kalori konsumon mesatarisht në ditë Erling Halandi falë dietës së tij të jashtëzakonshme.
Norvegjezi konsumon dy herë e gjysmë më shumë kalori se sa i duhet një njeriu të zakonshëm për konsum.
Reali dhe Siti cilësohen me të drejtë si kooperativa golash.
Nëse Reali mund të mbështetet te një shpërndarje më e madhe e lojtarësh që shënojnë, forca e “qytetarëve” qëndron te përbindëshi në krye të sulmit, Erling Haland, i vetëm 48 gola në këtë sezon. Benzema (26 gola), Vinicius (21), Rodrigo (13), Valverde (12) dhe Asensio (10) janë golat e sulmuesve të Realit në këtë sezon.
Të gjithë së bashku 82 rrjeta nga 110 të ekipit. Siç e përmendëm më lart, Guardiola i përgjigjet Ançelotit me “atomikun” e tij, Erling Haland, autor i 48 golave sezonalë.
Por nga shokët e repartit të tij te Siti, vetëm Fil Fodeni i afrohet norvegjezit me dy shifra, me anglezin që numëron 10 gola.
Por e veçanta e Sitit është se skuadra e Guardiolës mbështetet shumë edhe te forca e mesfushës, teksa një pjesë e madhe e 103 golave kanë ardhur pikërisht jo nga vija e parë. Në fund ajo që vlen është se spektakli është i garantuar.