Në kampionatin që po zhvillohet aktualisht në Shqipëri, po shohim që kryesuesit prej disa ndeshjesh janë zhvendosur në Elbasan, pasi me “Air Albania”-n që menaxhohet nga FSHF-ja, që vë kushtet e saj, duke e mbyllur edhe për shkak të incidenteve që ndodhin në ndeshjet derbi dhe me një “Selman Stërmasi” i cili po shkon drejt degradimit, aq sa edhe Dinamo u shpërngul në Kamzë për t’i luajtur ndeshjet e mbetura.
Partizani arriti që të ndërtojë shtëpinë e tij dhe në këtë pjesë është kompletuar, por duhet patjetër edhe një zgjidhje për Tiranën dhe Dinamon, që në pamundësi për të ndërtuar secila stadiumin e tyre, shpëtimi është “Selman Stërmasi”.
Në projektin e tri viteve të ardhshme të Bashkisë së Tiranës është edhe rindërtimi i këtij stadiumi, i cili do të rikonceptohet me modelin e “Air Albania”-s, për të sjellë rreth tij edhe shërbime të tjera, si biznese, hoteleri apo edhe ambiente të tjera.
Aktualisht sot askush nuk luan në “Selman Stërmasi” dhe kthimi i këtij stadiumi në një impiant ku të ofrohen komoditetet minimale për një tifoz, do të ishte një frymëmarrje edhe për dy ekipet e kryeqytetit, Tirana dhe Dinamo.