Juventusit mund t’i jenë kthyer 15 pikët, të paktën përkohësisht, por “Zonja e Vjetër” ende rrezikon të mbetet jashtë Champions League për sezonin e ardhshëm.
Sipas “La Gazzetta dello Sport”, ankesa e Juventusit në “Collegio di Garanzia” të Komitetit Olimpik Kombëtar Italian (CONI) ishte pjesërisht e suksesshme, pasi tani atyre u janë kthyer përkohësisht 15 pikët përpara një gjyqi të tretë sportiv për shkelje të supozuara të fitimeve kapitale.
Juventusi tani po pret të dëgjojë arsyet e CONI-t pas vendimit të tyre, që mund të zgjasë deri në 30 ditë, përpara se të zhvillohet një gjyq i ri nga Federata e Futbollit e Italisë (FIGC).
Kjo mund të ndodhë para fundit të majit, me synimin që të kemi një vendim përfundimtar para përfundimit të sezonit në Serie A, më 4 qershor.
Edhe pse Juventusit i janë kthyer 15 pikët, FIGC thuhet se do të vazhdojë të kërkojë të ndëshkojë klubin nga Torino në gjyqin e tretë sportiv me një dënim të ri me pikë, duke dashur të paralajmërojë që është kundër kësaj sjelljeje, me një ndëshkim të qartë.