Xavi në kundërsulm

Futboll

Xavi në kundërsulm

Më: 22 prill 2023 Në ora: 15:24
Xavi

Xavi Hernández është i bindur se skuadra e tij do të reagojë kundër Atlético Madridit pas tri goditjeve radhazi (dy në La Liga dhe një në Kupë).

Trajneri katalanas shpreh admirimin e tij për Simeonen dhe paralajmëron se nuk do të ndalet së ankuari për gjendjen e barit të fushave në stadiume për sa kohë që nuk ka asnjë rregull që kërkon që ai të jetë në kushte optimale.

Ndeshja e fazës së parë – “Nesër do të jetë një lojë e vështirë, një ndeshje e madhe.

Ndoshta Atletico është skuadra më në formë e momentit në La Liga; nga rezultatet dhe loja. Ata po luajnë futboll shumë të mirë, Cholo po bën një punë të jashtëzakonshme.

Do të jetë shumë e vështirë. 

Ndeshja e fazës së parë mund të shërbejë si referencë për ne. Duhet të përpiqemi ta kemi atë identitet dhe të jemi të dallueshëm në çdo kohë”.

Rrjedha e humbjes – “Ne nuk kemi fituar dy ndeshje radhazi në La Liga. Kupa është një kompeticion tjetër. Jemi shumë të motivuar, duhet të themi ‘ne jemi këtu’. Duhet të tregojmë identitetin tonë. Nuk kemi qenë në nivelin që duam për dy ose tri ndeshje”.

Momenti i ekipit – Mesazhi është i qartë. Të jemi sërish të dallueshëm, të mos humbasim kaq shumë topa. Të kemi përsëri një identitet, të gjenerojmë shumë gjëra të tjera në sulm. Ta spostojmë pak më lart vijën e mbrojtjes. E kemi ulur nivelin dhe duhet ta ngremë përsëri”.

Ndeshje kyçe për titullin – “Çdo ndeshje tashmë është e rëndësishme, na presin edhe nëntë finale.

Nëse fitojmë këtë të diel, Atlético Madridi do të kishte shumë pak opsione për ta fituar titullin.

Ne do të eliminonim një rival për këtë objektiv në La Liga”.

Messi – “Unë nuk jam në dijeni të këtyre çështjeve. Ajo që duhet të bëj është të punoj, të mos mendoj për transferimet apo sezonin e ardhshëm. Nuk është koha për të folur për Leon apo transferimet”.

Dembele – “Ai është një hap larg rikthimit, por nuk kemi vendosur të luajë ende. Osumane është praktikisht gati. Me siguri do ta shihni në fushë fundjavën e ardhshme”.

Takimi Ceferin dhe Laporta – “Unë flas shpesh me presidentin, ai më ka thënë se gjithçka është në rregull dhe se nuk ka asnjë shqetësim. Jemi të fokusuar vetëm në punën tonë. Jam i qetë”.

Ndryshimi i Atlético Madridit – “Është një nga skuadrat me më shumë karakter. Është e mrekullueshme se si trajneri i tyre printon karakterin, çfarë transmeton.

Ata janë rikuperuar kur askush nuk e priste, konkurrojnë me një shpirt të jashtëzakonshëm dhe kjo i bën të rrezikshëm. Ata janë një familje, një bllok, një skuadër. Është meritë e Cholo dhe lojtarëve se si e kanë ribërë veten”.

Ndeshja në orën 16:15 – “Jam kritikuar për çdo gjë.

Asgjë nuk më shqetëson, sado ‘meme’ të më bëjnë. Dielli s’më pengon, por fusha e thatë nuk na bën dobi. Pyetja është për Quique: pse nuk e ujiti fushën? Pse ishte bari më i lartë se zakonisht?

Nuk do të ndalem derisa të ketë një standard për fushat. Në të gjitha sportet ka. Në golf, nëse bari është i lartë, ai pritet. Nëse Lebron sheh një fushë të lagësht, e do të thatë. Nëse bie shi në tenis, ndalon gara. Dhe ne nuk mund të luajmë në pellgje…

Nuk do ta mbyll gojën, nuk është çështje e rezultateve. E them edhe kur fitoj, duhet të kujdesemi për këtë. Nëse duam shfaqje të bukura, duhet të kujdesemi për këtë aspekt. Nëse luajmë me diellin, bari thahet”.

De Jong – “Për ne është thelbësor. Është një garanci për ta pasur atë nesër. Ashtu si Pedri. Kur të rikuperohen të gjithë, ne do të jemi më mirë”.

Lewandowski – “Ai është mirë, i motivuar. E shoh gjithmonë në kërkim të zgjidhjeve për skuadrën dhe veten, për t’u përmirësuar. Ne jemi të lumtur me të, pavarësisht se nuk po shënon. Ai do të shënojë përsëri dhe do të jetë i rëndësishëm”.

Planifikimi i sezonit të ardhshëm – “Ne nuk po merremi me këtë, mendoj vetëm për Atlético Madridin. Është çelësi për fitimin e titullit të La Liga-s, duhet të mpshtim një rival të drejtpërdrejtë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat