Kalidou Koulibaly është një “pasion” i vjetër i Massimiliano Allegrit, i cili edhe më herët ishte përpjekur ta afronte atë te Juventus, më saktë verën e kaluar.
Megjithatë mbrojtësi franko-senegalez zgjodhi të mos “tradhtonte” Napolin dhe të mos bashkohej me asnjë ekip të Seria A, ndaj vendosi të shkonte te Chelsea, por pas një viti të vështirë në fanellën e “Bluve”, dyert e Juventusit mund të rihapen për të.
Sipas raportimeve të medieve italiane, Allegri do të dëshironte ta kishte Koulibaly-n në skuadër, madje theksohet se tekniku i ka kërkuar Juventusit të vlerësojë mundësinë e nënshkrimit të tij në muajt e ardhshëm.
Megjithatë qëllimi i Juventusit është të imitojë atë që Interi bëri këtë vit me Romelu Lukakun. “Bardhezinjtë” do t’i kërkojnë Chelsea-t ta marrin mbrojtësin në formë huazimi.