Oliver Kahn është treguar i pakursyer ndaj lojtarëve bavarezë pas disfatës në Mianc, që përkoi njëkohësisht edhe me humbjen e kreut në Bundesligë.
53-vjeçari ndonëse nuk ndodhet në një moment të lehtë në postin aktual i ka treguar “dhëmbët” grupit, madje duke i ironizuar në fraza të caktuara:
“Kush ishte skuadra që donte të bëhej kampione e Gjermanisë?
Kush, më thoni, po ju dëgjoj?! Ata kishin fanellat e kuqe, megjithatë nuk ishim ne.
Gjithçka që e përcakton futbollin, përveç lojës së pastër, ka munguar nga skuadra jonë në këtë turp ndaj Maincit”, ishin kritikat e Shefit të rekordmenëve gjermanë në dhomat e zhveshjes.
“Bild” si autore e kësaj skene ka shkuar më tej duke pohuar se futbollistët e Tuhelit kanë qëndruar kokulur dhe pa i dhënë asnjë përgjigje “zjarrit” të Kahnit me retorikën e tij thumbuese.
Nëse kampionët e 10-fishtë radhazi në ligën vendëse nuk ia dalin të ngrenë kupën në 27 maj (java e fundit) me shumë gjasa do të ketë revolucion në hierarkinë drejtuese dhe Kahnit i lëkundet stoli më tepër nga të gjithë.