Juventusi është në pritje të vendimit të drejtësisë sportive italiane, e cila aktualisht ia ka kthyer 15 pikët e hequra si penalizim, por ende nuk ka dhënë një vendim përfundimtar.
Vendimi pritet në gjysmën e dytë të majit, por, siç raportohet nga “Gazzetta dello Sport”, UEFA është e shqetësuar për kohën.
Në fakt, organi europian i futbollit dëshiron t’i përpilojë shpejt kalendarët për sezonin e ardhshëm dhe për këtë arsye po mendon seriozisht të hapë një dosje të pavarur nga ajo italiane për çështjen e fitimeve kapitale.
Prandaj, Juventusi rrezikon të përjashtohet nga Kupat e Europës, pas një vlerësimi të ‘Panelit Fair Play’ të UEFA-s, i cili do të ndërhynte në rast se do të zgjatej koha e gjykimit italian.
E thënë thjesht: në Nyon kanë besim dhe shpresojnë se drejtësia italiane do të mund të nxjerrë një dënim deri në fund të qershorit.
Megjithatë, nëse koha e vemdimmarrjes italiane do të zgjerohej,
‘Paneli i Fair Play’ të UEFA-s do të vendoste vetë nëse Juve do të marrë pjesë apo jo në kupat e ardhshme evropiane.