Gjigantët e Bundesliga-s, Bayern Munich thuhet se janë të vendosur të ofrojnë gjithçka të mundshme për të transferuar Victor Osimhen në Allianz Arena.
Një numër i madh klubesh janë në gjurmët e ndërkombëtarit nigerian, i cili ka shënuar 25 gola për Napolin këtë sezon.
Klubi italian tashmë ka një dorë te titulli dhe është vetëm një fitore larg shpalljes kampion në Serinë A për herë të parë në më shumë se tre dekada.
Gazetari i Sky Sports, Florian Plettenberg tani ka bërë një deklaratë të bujshme se bavarezët janë të gatshëm t’i ofrojnë Napoli-t një ofertë marramendëse për Osimhen, i cili gjithashtu ka tërhequr interes nga klubet kryesore europiane si Manchester United, Chelsea dhe Paris Saint-Germain.
Skuadra e Napolit e ka fiksuar në 100 milionë euro çmimin për sulmuesin, i cili gjithashtu është në rrugën e duhur për t’u shpallur golashënuesi më i mirë i Serisë A.
Mes interesit të madh për Osimhen për shkak të formës së tij aktuale, Plettenberg raportoi, sipas Complete Sports:
“Napoli kërkon 150 milionë euro për Victor Osimhen. Sulmuesi nigerian dëshiron t’i bashkohet Bayernit. Ende nuk ka negociata mes klubeve.
Ekziston një ide e parë për një marrëveshje të mundshme shkëmbimi me Sadio Mane. Megjithatë, Napoli nuk mund të përballojë pagat e senegalezit”.
Osimhen dhe shokët e tij të skuadrës do të kurorëzohen kampionë të Serisë A nëse mposhtin Salernitana-n dhe Lazio nuk arrin të mposhtë Inter-in.