Sheikët e PSG duan të rithemelojnë skuadrën dhe në shënjestrën e klubit të emirit të Katar është gjithnjë Victor Osimhen.
Sulmuesi i pëlqen drejtuesve dhe në veçanti Luis Campos, konsulentit sportiv të presidentit Nasser Al Khelaifi dhe që ishte pikërisht personi që shkoi ta merte nigerianin nga Belgjika te Lille, për ta shitur pastaj te Napoli. Sipas mediave franceze portugezi është shumë pranë një akordi për ta marrë sulmuesin në Paris verën e ardhshme.
Që në fillim të këtij muaji RMC Sport kishte zbuluar interesin për bomberin e Napolit, një operacion ky me vlerë prej të paktën prej 100 milionë eurosh, por edhe me mundësinë për të ofruar lojtarë si kundërshpërblim teknik.
Jo vetëm Parades, të cilin Juventus nuk do ta blejë përfundimisht, por edhe Icardin e rilindur me 13 gola dhe 7 asiste në 18 ndeshje me Galatasary. Natyrisht bëhet fjalë vetëm për pista të mundshme, por zërat e interesimit të PSG për nigerianin po bëhen gjithnjë e më të fortë, duke folur madje edhe për një akord falë raportitit që ka me Campos.
Sulmuesi i Napolit gjithsesi është nën kontratë deri në 2025 dhe presidenti De Laurentiis nuk do të bëjë ulje, i vetëdijshëm për faktin që nuk do të mungojnë oferta dhe nga Premier League, kampionat që e tërheq lojtarin prej kohësh.
Paralelisht e përditshmja Le Parisien evidenton edhe interesin e klubit francez për Harry Kane, ndërkohë që në radarët e PSG përflitet edhe Kolo-Muani i Eintracht Frankfurt, që është shok skuadre me Mbappe në kombëtaren franceze.