Një yll ndërkombëtar i futbollit është rrëmbyer nga një bandë personash të armatosur në Libi.
Mohamed Zubya, 34 vjeç, një sulmues i Al-Ittihad dhe Libisë, thuhet se është zhdukur nga e enjtja e kaluar pasi u rrëmbye në kryeqytetin Tripoli.
Familja e Zubya tha se nuk i dinte kërkesat e rrëmbyesve për lirimin e tij. Komiteti Kombëtar i të Drejtave të Njeriut në Libi tha se personat e armatosur “e çuan atë në një vend të panjohur dhe i ndërprenë kontaktet me familjen e tij”. Ahmed Hamza, kreu i komitetit, bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të yllit të futbollit, raporton Libya Review.
“Ne i bëjmë thirrje autoritetit libian që ta lirojë atë pa asnjë vonesë dhe të mos përsërisë këto incidente dhe praktika të egra”, tha Hamza. Ai tha se rrëmbimi i Zubya është “i papranueshëm, veçanërisht pasi ai është një personazh publik”.
Hamza shtoi: “Autoritetet libiane duhet gjithashtu të punojnë për t’i dhënë fund ndalimeve… të cilat përbëjnë një shkelje flagrante të sundimit të ligjit dhe përfaqësojnë format më të këqija të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut”.
Zubya ka luajtur për Al-Arabi të Katarit, JS Kabylie të Algjerisë, Mouloudia Oran dhe Esperance të Tunizisë. Ai luajti për ekipin kombëtar të Libisë në kualifikueset e Kupës së Botës FIFA 2010.
Futbollisti pësoi një dëmtim të rëndë në këmbë në shkurt dhe iu nënshtrua një operacioni. Ai është ende duke bërë terapi fizike dhe mbështetet në paterica për të lëvizur.