Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, thotë se FFK në vazhdimësi do të promovojë lojën e pastër të futbollit.
“Sot pata kënaqësinë t’u shpreh mirëseardhje në Kosovë dhe punë të mbarë përgjatë dy ditëve të workshopit të parë rajonal të UEFA-s kundër manipulimit të ndeshjeve, ekspertëve të UEFA-s, përfaqësueseve të Interpolit, të Këshillit të Evropës, të agjencisë Sportradar, si dhe prokurorëve dhe zyrtarëve të integritetit të garave nga shtete si; Austria, Bullgaria, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Sllovenia, Shqipëria dhe Kosova.
Organizimi i një ngjarjeje të tillë në Kosovë është një nder që UEFA ia ka bërë Federatës së Futbollit të Kosovës, por edhe tregues i angazhimit dhe përkushtimit tonë për të ndërmarrë veprime konkrete në luftën kundër dukurive negative në futboll.
Jam i lumtur që, ne, si FFK kemi arritur të ndërtojmë kapacitete të nevojshme për të qenë në gjendje të organizojmë ngjarje të kësaj natyre dhe të japim kontributin tonë në luftën kundër manipulimit të ndeshjeve.
FFK në vazhdimësi do të promovojë lojën e pastër të futbollit dhe organizimi i këtij workshopi është një mundësi e jashtëzakonshme për Republikën e Kosovës dhe për zhvillimin e futbollit në vendin tonë dhe në rajon.
Shpresoj që ky workshop do të jetë vetëm fillimi i bashkëpunimit tonë në luftën kundër manipulimit të ndeshjeve dhe promovimit të lojës së pastër të futbollit”, ka shkruar Ademi në profilin e tij në facebook.