Tirana më pranë finales, Vllaznia barazon në fund me Egnatian

Futboll

Tirana më pranë finales, Vllaznia barazon në fund me Egnatian

Më: 26 prill 2023 Në ora: 20:44
Pamje nga një ndeshje

U zhvilluan pasditen e kësaj të mërkure dy takimet e para të raundit gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë për sezonin 2022-2023.

Tirana mposhti Teutën me rezultatin 3-0 në një ndeshje të parë mjaft të bukur të zhvilluar në stadiumin ‘Elbasan Arena’, me bardheblutë hodhën një hap të rëndësishëm drejt finales së këtij edicioni. Florent Hasani i dha avantazhin kryeqytetasve, në minutën e fundit të pjesës së parë, teksa i gjendur brenda zonës durrsake u tregua i saktë, duke e dërguar topin në rrjetë.

Në minutën e 67-të të pjesës së dytë, Bruno Lulaj dyfishoi rezultatin në 2-0, pas një devijimi të topit të tentuar më parë nga Behiratçe.  

Tirana e trajnerit Orges Shehi vulosi pothuajse kualifikimin dhe biletën e parakohshme për në finale në minutën e 73-të me golin e Regi Lushkjes, i cili vulosi shifrat në 3-0 pasi nuk gaboi në përballjen me portierin Qirko.

Ndeshje mjaft e luftuar dhe emocionuese deri në minutën e fundit ishte edhe gjysmëfinalja tjetër mes Vllaznisë, fituesve në fuqi të Kupës së Shqipërisë dhe Egnatias, ekipit që vjen për herë të parë deri në këtë fazë.

Takimi u mbyll me rezultatin e barabartë 1-1, pas shumë mundësive nga të dyja skuadrat, që dhuruan spektakël nga porta në portë.

Rrogozhinasit kaluan të parët në epërsi me Duamenan, i cili bën i vetëm gjithçka në minutën e 68-të të takimit.

Shkodranët nuk dorëzohen dhe goli i barazimit vjen në minutën e fundit të shtesës, me Ardit Hoxhajn, i cili shënon me kokë në portën kundërshtare.

Gjithçka mbetet e hapur mes Vllaznisë dhe Egnatias, teksa finalisti mes këtyre dy skuadrave do të vendoset në stadiumin ‘Egnatia Arena’.

Këto ishin ndeshjet e para të Kupës së Shqipërisë për sezonin 2022-2023, ndërsa ndeshjet e kthimit do të luhen më datën 11 maj, ku do të përcaktohen edhe dy skuadrat finaliste të këtij edicioni.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat