Heroi i mbrëmjes është padyshim Federiko Dimarko që me golin e tij dërgoi Interin në finale, një gol për të cilin mbrojtësi ka shprehur gjithë lumturinë e tij, por që duket se i ka shtuar urinë për të tjera festime.
“Kemi bërë një ndeshje të shkëlqyer.
Finalja ishte ajo që donim dhe e kemi arritur këtë falë një fitoreje shumë të bukur. Më i rëndësishëm ky gol apo ai i Rijadit?
Shpresoj shumë që më i rëndësishëm të jetë ai i ardhshmi.
Në fundjavë na pret Lacio dhe është një ndeshje shumë e vështirë, si të gjitha ato që na kanë ngelur.
Duhet t’i marrim sfidat me radhë dhe do të arrijmë objektiva të rëndësishëm”, tha italiani që u ndal edhe te rikthimi i Interit në formën e duhur.
“Mund të them që kemi rigjetur Interin e vërtetë.
Jemi në gjysmëfinalen e Champions League dhe në finalen e Kupës së Italisë dhe duhet të vazhdojmë kështu.
Nuk ka asnjë sekret për këtë. Në këtë grup të gjithë luftojnë për fanellën dhe për të treguar sa vlejnë”, përfundoi Dimarko.