Trajneri i kombëtares shqiptare, Silvinjo, duhet të ketë marrë frymë më i qetësuar pasi ka mësuar lajmet më të fundit nga Italia.
Situata e Berat Gjimshitit u kthye në një shqetësim të madh për trajnerin e kuqezinjve, pasi mbrojtësi pësoi në dëmtim gjatë ndeshjes së fundit në Serinë A ndaj Romës.
Futbollisti doli nga fusha e lojës mes dhimbjeve pas një përplasje me Abraham dhe fillimisht u mendua për diçka shumë serioze, teksa u aludua edhe për mbyllje para kohe të sezonit
Por për fat të mirë, kontrollet nuk kanë treguar asnjë gjë shqetësuese për futbollistin e kombëtares shqiptare dhe për më tepër, në Itali bëjnë të ditur se ai është kthyer rregullisht në stërvitje me skuadrën.
Gjimshiti ka qenë në seancat e fundit stërvitore me pjesën tjetër të ekipit, duke u vendosur menjëherë në gatishmëri për trajnerin Gasperini, i cili e sheh si një element shumë të rëndësishëm sidomos në finalen e sezonit.
Atalanta luan këtë fundjavë ndaj Torinos dhe një fitore do të ishte thelbësore për të mbajtur gjallë shanset e skuadrës zikaltër për të luftuar për zonën e Europës.
Ekipi i qytetit të Bergamos është në vendin e 7 në renditjen e Serisë A me 52 pikë, vetëm 4 larg Milanit që mban aktualisht vendin e katërt.