Lacio do të përballet nesër me Interin në “San Siro”, ndërkohë që ky takim është planifikuar të luhet në orën 12:30. Por, ky orar nuk i ka pëlqyer aspak trajnerit Mauricio Sarri i cili u shpreh se orare të tilla nuk e rrisin kampionatin dhe të ardhurat ndërkohë që nuk u ndal me kritika.
Tekniku i Lacios u ndal edhe te stadiumet, duke u shprehur se ka shumë punë për t’u bërë në infrastrukturë dhe nëse duan të bëjnë hapin historik, drejtuesit e futbollit në Itali duhet të punojnë sepse po e kthejnë kampionatin në një kampionat mediokër.
“Duhet të flasim pak për orarin sepse ka shumë për të diskutuar. Moti e jep nesër shi, por mund të ishte edhe 30 gradë celcius.
Si dreqin mund të luash në këtë orar? Në Itali po bëjnë gjithçka për të bërë një kampionat mediokër.
Pa struktura, me orare m** dhe krijon kushte për të bërë shfaqje të keqe e në fund ankohesh pse nuk fiton sa të tjerët.
Drejtuesit flasin vetëm për ekipin kombëtar por nëse nuk ndërtohen stadiume, ne kemi vdekur.
Këtë nuk po e them për të shkaktuar polemika, por sepse jam i dashuruar me futbollin italian: është një moment në të cilin mund të shohim dritë por ndjej se do të fundosemi më keq”, u shpreh Sarri.